Prishtinë, 16 qershor 2016
Sot në Prishtinë, nën organizimin e Këshillit të Përkohshëm Drejtues të Shoqatës „Lëvizja“ u organizua një takim konsultativ me ish anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, si dhe veprimtarë të dalluar të lëvizjes së fshehtë çlirimtare.
Takimi u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në prani të rreth pesëdhjetë veprimtarëve nga vise të ndryshme të Kosovës.
Në fillim, pjesëtarët e Këshillit të Përkohshëm Drejtues informuan të pranishmit lidhur me qëllimet e shoqatës „Lëvizja“ që burojnë nga Deklarata e miratuar më 1 gusht 2015 në Prishtinë, në Kuvendin Themelues të saj. U theksua se qëllimi i shoqatës do të jetë shpalosja, afirmimi dhe kultivimi i vlerave e Lëvizjes Popullore të Kosovës si një organizatë bartëse kryesore e veprimtarisë së fshehtë që kishte peshën historike të organizimit të luftës çlirimtare në të gjitha trojet e pushtuara.
Diskutimet ishin të shumta e konstruktive duke i dhënë mbështetje Deklaratës së 1 Gushtit 2015 si dhe duke theksuar domosdoshmërinë e ekzistimit të shoqatës „Lëvizja“.
Të pranishmit u zotuan për angazhim konkret në rrethe ku ka vepruar LPK-ja.
Nga Këshilli i Përkohshëm Drejtues u shtrua nevoja e zgjerimit të Këshillit Drejtues edhe për tre anëtarë të tjerë dhe të pranishmit u pajtuan që këtij Këshilli ti bashkëngjiten edhe Afërdita Dervishi, Avni Dehari dhe Bedri Llapashtica.
Si nevojë e intensifikimit të punës, u zgjerua edhe Komisioni për hartimin e Projekt-Programit dhe Projekt-Statutit të Shoqatës „Lëvizja“ edhe me tre anëtarë të tjerë: Sadri Ramabaja, Emin Kabashi dhe Rexhep Ahmeti. Gjithashtu shpreh gatishmëria që të punohet më intensivisht deri në Kuvendin e Parë Zgjedhor, që do të mbahet më 31 Korrik 2016 në Prishtinë.
Këshilli i Përkohshëm Drejtues i Shoqatës „Lëvizja“