Mbledhjen e kanë drejtuar Xhavit Haziri dhe Ali Ahmeti
Mbledhja ka aprovuar konkluzionet dhe ka zgjedhur Grupin e Organizimit dhe Riorganizimit (GOR). Grupi i Organizimit dhe Riorganizimit ka pasur për detyrë të organizojnë mbajtjen e Mbledhjes së IV-të të Përgjithëshme të LPRK-së dhe të bëjë riorganizimin e radhëve. Përbërja e GOR-it:
Mbledhja ka zgjedhur edhe Komisionin për Program dhe Statut në këtë përbërje:
Kombi shqiptar aktualisht gjendet në fazën më të rëndë të historisë së tij. Përveç që ra nën një okupim më të rëndë, ai u nda midis shteteve të Ballkanit të dala nga ish-Jugosllavia. Këtë pushtim të ri e sanksionuan edhe organizmat ndërkombëtarë. Çka është më e keqja, partitë politike, në vend që të marrin qëndrim të drejtë dhe të ndryshojnë mënyrën e veprimit të tyre, të vetëdijshëm, apo pa i menduar pasojat, u pajtuan me “zgjidhjet” e përcaktuara nga të huajt dhe si forma të veprimtarisë edhe më tutje i kanë përcaktuar format pacifiste; ato forma që çuan te pushtimi edhe më i egër. Nga ana tjetër, kemi një lëvizje dhe pakënaqësi të madhe të masave me gjendjen e krijuar, e cila me siguri do të intensifikohet në të ardhmen për të arritur në mënyrë të pashmangshme deri te përleshja e armatosur me armikun. Nga kjo situatë e krijuar dalin detyra konkrete para organizatës. Mbi këtë bazë, nga Mbledhja Konsultative dalin këto vendime e rezoluta.
I
Të përgatiten dhe të zhvillohen veprimtari për të çliruar vendin tonë të pushtuar, duke filluar me aksione popullore, demonstrata, greva, protesta, aksione konkrete në përputhshmëri me format qytetare të rezistencës të shtrira në të gjithë hapësirën shqiptare. Ato duhet të jenë të organizuara, të kohës dhe të kryhen me disiplinë të rreptë.
II
Kur dihet se LPRK-ja në Kosovë dhe jashtë vendit, ruan në vete përvojën e aksioneve kombëtare kundër pushtuesve dhe se anëtarët e saj janë të gatshëm që të punojnë e luftojnë deri në çlirimin e vendit, del si detyrë forcimi organizativ i LPRK-së. Kjo nuk duhet parë ngushtë, vetëm si çështje të një subjekti politik por duhet kuptuar si detyrë që çon drejt forcimit të rezistencës aktive gjithë-popullore dhe krijimit të frontit çlirimtar. Kjo shtron si detyrë para çdo anëtari të veprojë me përpikëri sipas Programit, Statutit dhe vendimeve të organizatës. Të rritet disiplina, gatishmëria, vigjilenca dhe fryma e veprimit konkret, në mënyrë që kështu të kontribuojmë së bashku në këtë çështje të madhe kombëtare.
III
Mbi bazën juridike të vendimit të organizatës, shumë veprimtarë të LPRK-së vepruan në subjektet tjera legale. Këta anëtarë, për një kohë e luajtën rolin e vet në këto subjekte. Tash e mbrapa, vetëm aktiviteti përmes organizimit legal nuk mjafton për realizimin e pikësynimeve kombëtare.
IV
Të forcohet propaganda në Kosovë. Të shpërndahet «Zëri i Kosovës». Aty ku nuk mbërrinë të shumëzohen dhe të shpërndahen artikujt më sqarues të «Zëri i Kosovës». Të përgatitet një Buletin si organ informativ politik, ndërkaq me anëtarët të komunikohet edhe komunikata qarkore etj.
Njëherit kërkohet kudo që gjendet anëtari i LPRK-së, pa e identifikuar veten, të propagandojë vijën politike të Organizatës.
V
Bashkëpunimi i LPRK-së me subjekte politike e shtetërore në Kosovë do të jetë i mundur vetëm në veprime konkrete kundër pushtuesve. Duke u nisur nga fakti që partitë legale në Ksovë ndjekin një politikë kapitulluese, del qartë se barra e veprimtarisë çlirimtare do ti bjerë LPRK-së dhe subjekteve që janë të vendosura ta vazhdojnë luftën deri në fitoren përfundimtare.
VI
Duke pasur parasysh se në Parlamentin dhe Qeverinë Maqedonase, në qeveritë lokale malazeze e serbe të Kosovës Lindore hynë dhe po punojnë me zell disa subjekte politike shqiptare, me këtë rast shkelin mbi përcaktimet politike kombëtare, e madje edhe mbi referendumet popullore për autonomi politike territoriale, me të drejtë të bashkimit me Republikën e Kosovës, nga janë ndarë me dhunë.
Meqenëse këto subjekte shqiptare, nga këto vise të Kosovës, e kanë pranuar pushtetin serbo-malazez përkatësisht maqedonas, LPRK-ja shkëput kontaktet me udhëheqjet e këtyre subjekteve dhe thërret degët e nëndegët si dhe të gjithë anëtarët e këtyre subjekteve, të iu bëjnë presion udhëheqjeve të këtyre partive politike të përfaqësuara në parlament dhe në qeveri, që t’u përmbahen programeve të tyre dhe të zbatojnë vullnetin politik të popullit.
VII
Duke pasur parasysh që herë pas herë ka pasur tendenca që të përqendrohet vëmendja e kombit tonë në probleme të brendshme dhe sidomos që të konfrontohen pjesët e ndara të kombit në relacion me shtetin dhe trojet jashtë tij, LPRK-ja do t’i kushtojë vëmendje që aktiviteti, lufta dhe puna jonë të orientohet në frontin kundër pushtuesve serbo-maqedono-malazez. Qëndrimi i LPRK-së ndaj shtetit amë nuk varet nga forca politike që është në pushtet. Asaj i intereson një Shqipëri e pavarur dhe përkrahja sa më e madhe për çlirimin e Kosovës.
VIII
Çështja kombëtare do të gjejë përkrahje në faktorin e jashtëm vetëm atëherë kur faktori i brendshëm është i organizuar dhe i vendosur për ta çuar çështjen përpara, duke aplikuar të gjitha mjetet e luftës çlirimtare. Kjo mungesë në kuadër të kombit tonë, bëri që organizmat ndërkombëtarë, qoftë për shkak të interesave të tyre ekonomike qoftë për shkak të raportit të forcave, të aprovojnë qëndrimin mbi aneksimin e viseve tona shteteve të Ballkanit. Përkundër asaj që republikat u ndanë në shtete të pavarura, përkundër asaj që lufta për mbizotërim filloi përkundër asaj që dhuna ndaj shqiptarëve vazhdon me përmasa edhe më të mëdha, çështja shqiptare mbeti pa zënë vend me rëndësi në konferencat ndërkombëtare. As BEE, as NATO, as KSBE, as OKB, as ndonjë organizëm tjetër nuk do ta zgjedhë çështjen tonë, nëse kombi nuk bëhet zot i fatit të vet.
Këta organizma veprojnë sipas pikësynimeve të tyre dhe të mbështetura në to i përcaktojnë zgjidhjet.
Kollare-Kërçovë, 24 prill 1993