Të nderuar anëtarë e përkrahës të shoqërisë „Lëvizja“
Viti që po e lëmë pas, ishte vit i konsolidimit të shoqërisë „Lëvizja“.
Shoqëria „Lëvizja“, duke qenë një organizim vullnetar e joqeveritar, qëllimi kryesor i së cilës është mbledhja, ruajtja, kultivimi, mbrojtja, promovimi dhe afirmimi i vlerave të veprimtarisë çlirimtare të LPK-së dhe veprimtarisë së fshehtë në të gjitha trojet e pushtuara si dhe kudo që ka vepruar si organizatë, ka arritur që në vitin 2016 të themelojë degët e saj në Kosovë, Zvicër, Gjermani, Austri dhe Francë. Po ashtu ajo ka mbajtur Kuvendin e parë Zgjedhor nga i cili ka dalë Këshilli Drejtues dhe Kryesia e shoqërisë „Lëvizja“.
Në vitin që vjen na presin detyra konkrete, të cilat bashkë me ju, jemi të bindur se do të arrijmë t’i realizojmë.
Sot, kur po bëhet ndërrimi i vitit, mendja e zemra na shkon tek shokët tanë të rënë në luftë për lirinë e kombit.
Në këto momente, ne jemi me të gjitha ato familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, që ne të festojmë në rrethana më të mira, duke marrë për obligim njëkohësisht që të jemi gjithnjë në shërbim të idealeve të dëshmorëve.
Urojmë që Viti i Ri 2017 të jetë një hap më afër realizimit të idealeve të dëshmorëve, si përmbushje e amanetit të tyre në breza.
Paçi shëndet, jetë të gjatë e të lumtur bashkë me familjet tuaja!
Gëzuar!
Kryesia e shoqërisë „Lëvizja“