DEKLARATË
Ne, ish veprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, të tubuar sot, më 1 gusht 2015 në Prishtinë, kemi vendosur unanimisht të themelojmë Shoqatën për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të Lëvizjes Popullore të Kosovës e cila do të njihet në opinion me emërtimin Shoqata „Lëvizja“.
LPK si organizatë e bashkimit të veprimtarisë çlirimtare fillimisht, dhe pastaj dhe si organizatë e konsoliduar dhe bartëse kryesore e veprimtarise se fshehtë, ka peshën historike edhe të organizimit të luftës çlirimtare në gjitha trojet e pushtuara. Si e tillë edhe tani në paqe ka shumë rëndësi një organizim që shpalos, afirmon, dhe kultivon vlerat e një veprimtarie kaq domethenese për lirinë e Kosovës që po e jetojmë, ani se akoma larg asaj që e ka projektuar kjo organizatë.
Pjestarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës kanë përfaqësuar në mënyrë të denjë interesat e popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, e Mal të Zi.
Lëvizja Popullore e Kosovës duke qenë një organizatë çlirimtare kulmin e veprimtarisë së vet e ka arritur në organizimin dhe udhëheqjen e luftës çlirimtare në të gjitha viset e pushtuara.
LPK ka qenë vazhdimisht në luftë me pushtuesin serbo-maqedono-malazez, me të gjitha format dhe mjetet e një lufte çlirimtare.
Shoqata „Lëvizja“ është një organizatë joqeveritare.
Qëllimi kryesor i Shoqatës do të jetë mbledhja, ruajtja, kultivimi, mbrojtja, promovimi dhe afirmimi i vlerave të veprimtarisë çlirimtare të LPK-së dhe veprimtarisë së fshehtë në të gjitha trojet e pushtuara si dhe kudo që ka vepruar si organizatë.
Ajo do të nxisë pjestarët e saj që të argumentojnë veprimtarinë e saj përmes shkrimeve të ndryshme. Do të ndihmojë në botimin e monografive për pjestarë të LPK-së, dëshmorë e veprimtarë të dalluar, do të organizojë simpoziume të ndryshme shkencore për të ndriçuar veprimtarinë e saj dhe të pjestarëve të saj.
Shoqata „Lëvizja“ do të udhëhiqet nga një Këshill i Përkohshëm Drejtues i përbërë prej 11 vetave deri në Kuvendin e parë zgjedhor, i cili duhet të mbahet më së largu deri më 28 nëntor 2015.
Shoqata „Lëvizja“ do të ketë selinë në Prishtinë.
Prishtinë, 1 gusht 2015