Fjala e Fatmir Limanit në përurimin e pllakës përkujtimore në Kollarë

Shpaloset pllaka përkujtimore për LPK-në në Kollare të Kërçovës
24. April 2017
Mbledhja Konsultative e LPRK-së, Kollarë – Kërçovë, 23-24 prill 1993
2. Mai 2017

Shumë të dashura Familje të Dëshmorëve,
Të respektuar të plagosur dhe ushtarë të lirisë,
Të nderuar të burgosur politik, udhëheqës, veprimtarë dhe anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm e sotmja shënon edhe ditën e përjetësimit të veprimtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës Naser Veliu dhe Nurie Zeka.

Dy dekada e gjysmë më parë në këtë fshat, në këtë vend, në këtë shtëpi u mblodhën bashkë dhe ilegalisht delegat nga të gjitha hapsirat shqiptare:
Ali Ahmeti, Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi, Adem Grabovci, Beajdin Allaçi, Xhavit Haziri, Fadil Bajrami, Fatmir Brajshori, Musa Demiri, Beqir Limani, Ruzhdi Veliu e të tjerë…

Atëherë kushtet dhe rrethanat nuk ishin as përafërsisht si të sotmet, por morali i lartë dhe betimi i fuqishëm bënin që të gjithë antarët e Lëvizjes Popullore të piktakoheshin në vende e parapërcaktuara nga sektori i veçantë pavarsisht çmimit që mund të paguanin anëtarët nga rreziqet e kohës.

Të nderuar të pranishëm, me këtë rast do të kenë fjalën bashkëveprimtar, të cilët 24 vite më parë vendosnin mbi fatin e popullit tonë të shumë vuajtur shekuj me rradhë. Të njejtët do të të shpalosnin kujtime gjithësecili në mënyrën dhe këndvështrimin e tyre në lidhje me këtë ngjarje të veçantë dhe historike të kombit dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Pasi që militantët e LPK – së në vitin 1992 – 1993, dhe më herët kishin bërë disa veprime të armatosura kundër trupave pushtuese sërbe, Kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës detyrohej që të mbante një mbledhje në të cilën do të merreshin vendime lidhur me këto dhe të tjera aksione guerile të cilat ishën organizuar nga anëtarë dhe Këshilla Popullorë që operonin në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Njëkohësisht kjo mbledhje ishte parapërgatitore, për Mbledhjen e IV-të të Përgjithshme.

Me këtë rast u organizua edhe Mbledhja Konsultative, e cila u vendos që të mbahej në këtë fshat nga fakti se pozita gjeo-strategjike dhe besnikëria e Këshillave Popullorë mirë të organizuara garantonin sigurimin dhe mbarëvajten e kësaj mbledhje me rëndësi të veçantë.
Dhe nëse kjo mbledhje cilësohet si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të LPK-së, atëherë pesha dhe rëndësia e sigurimit të saj kishte përgjegjësi shumëfish më të madhe se vetë mbajtja dhe vendimet e marra në të njejtën mbledhje.

Është përmendur në disa raste se sigurimi i kësaj mbledhje i’u besua Lirim Ukës. Ndërkohë që Ai do të angazhonte disa nga Këshillat Popullorë të rrethit të Kërçovës të vendosura në pesë + dy pika strategjike, mbrenda dhe për rreth fshatit në mënyrë që organizimi, mbajtja, mbarëvajtja e mbledhjes si dhe tërheqja e delegatëve pjesëmarrës në këtë mbledhje të organizohej në mënyrën më të sigurt të mundshme.
Dy nga pikat ishin përcaktuar në hyrje të fshatit nga ana e Kërçovës në të djathtë dhe të majtë tek “mulliri i vjetër”, tre pika të tjera ishin një te udhëkryqi me dalje drejt “dardhës”, një në majë të “grykës së strazhës” dhe një në drejtim të Bukovikut përballë lagjës së Brajeve.
Plani ishte që në rast se na bien në gjurmë tërheqja e anëtarëve pjesmarrës në këtë mbledhje të rëndësishme të bëhej në dy drejtime anën e “dardhës” me dalje në Dibër dhe anën e Bukovikut me dalje në Sërmnovë, ku edhe kemi patur baza të sigurta të celulave të Lëvizjes.

Dy pika ndihmëse vëzhgimi ishin të vendosura njëra në majë të “grykës së strazhës” dhe tjetra në hyrje të Kërçovës që kishin për detyrë të bëjnë vëzhgimin e lëvizjeve të ndryshme dhe të paralajmëronin përgjegjësin e rojes në rast se ndonjë patrullë policore do të nisej në drejtim të fshatit ku edhe mbahej mbledhja.
Në këtë takim u lëshuan rezolucionet sipas të cilave LPK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtuesve. Që do të thotë se me këtë ndryshonin mjetet nga ato politike në zgjidhjen e çështjes shqiptare me mjete luftarake.

Për fatin tonë, fatin e Kosovës dhe fatin e kësaj pjese të atdheut punimet e kësaj mbledhje u zhvilluan me sukses me çka pas përmbylljes të gjithë delegatët u përcollën të sigurtë në drejtime të ndryshme me detyrat e parapërgaditjes për organizimin e Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme e cila do të mbahej më 26 – 27 korrik 1993, në Kodrën e Trimave, Prishtinë, në të cilën aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së. Dhe nga ky moment edhe Këshillat Popullorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës transformohen në Njësite Guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat do të vepronin në V-së Zona Operative.

Disa nga pjesëmarrësit – delegat, në mbledhjen e Kollarës do të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e fshatrave dhe qytetit ku edhe kishim çerdhet e Këshillave Popullorë.
Fatmir Brajshori me shokë do të vendosej në shtëpinë tonë. Të tjerë tek familja e Ali Ahmetit dhe një grup delegatësh tek Jehon Flamuri.
Të ardhurit nga Perëndimi do të largoheshin në drejtim të kufirit me Shqipërinë.

Të nderuar të pranishëm nëse sigurimi i kësaj mbledhje nuk do të ishte në nivelin më të lartë, atëherë as ne dhe as Kosova nuk do të kishm statusin që kemi sot. Për të gjitha këto ngjarje merita, mirënjohjet dhe lavdia u takon atdhetarëve, të përkushtuarve të çështjes kombëtare, veprimtarëve të palodhshëm të të gjitha periudhave historike, ideologëve të LPK-së, udhëheqësve dhe themeluesve të tri Ushtrive Çlirimtare.

Por lavdia mbi lavditë u takon Dëshmorëve dhe të plagosurve të lirisë.
I përjetshëm kujtimi për Dëshmorët e Atdheut !

LAVDI

Kollarë – Kërçovë
23 prill, 2017
Fatmir Beqir Limani